Qysh i ke punët me këta të ATK-së?

Nisa të punoj si kontabiliste shumë e re në moshë, edhe pse vija nga një familje pa traditë në biznes. Duke qenë se familjarët e mi kishin profesione krejt të tjera, nuk e pata as edhe një person të vetëm ku të mbështetesha për t’u zhvilluar në profesion dhe për të ecur përpara në karrierë. Nuk njihja madje as ndonjë person në institucionin e administratës tatimore, gjë që e konsideroja gjithnjë si mangësi.

Me kalimin e kohës, kjo “mangësi” u shndërrua në armën time më të fortë, sepse për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar më tutje në treg m’u desh t’i studioja deri në detaje ligjet dhe udhezimet, të hulumtoja më shumë, t’i bëja sytë katër gjatë punës që të isha gjithnjë në rregull me ligjin. Ajo që konsideroja si mangësi, sot më jep krenari kur kthej kokën pas në rrugëtimin tim profesional.

Sepse thelbi i profesionalizmit tim është integriteti i bazuar në ligj. Jo në rrjetin familjar apo njohjet në Administratën Tatimore.

Në fakt, në secilin takim me klientët e mi ose klientët potencialë, nuk e theksoj kurrë se “i kam mirë punet me ata të ATK-së”. Në vend të kësaj, theksoj se roli im do të jetë t’i udhëzoj të veprojnë gjithnjë sipas ligjit.

Ende has në biznese që dëshirojnë të kenë kontabilist/e që “t’i ketë punët mirë me ata të ATK-së”, apo që ta ketë ndonjë djalë të axhës a çikë të dajës inspektor/e. Për fat të keq, ka disa kontabilist/e qe e “shesin” shërbimin tek klientët me këtë “argument”.

Sërish dua të theksoj se kjo është mendësi e gabuar dhe e dëmshme, për shumë arsye:

1. ATK i ka rreth 800 punëtorë. Është e pamundur të kesh raporte të mira me krejt të afërmit, e aq më pak të gjesh një kontabilist/e që i ka punët mirë me krejt stafin e ATK-së.

2. Stafit të ATK-së ua ndërrojnë shpesh pozitat dhe rajonet ku punojnë. Kjo mund t’i ndodhë edhe inspektorit të biznesit tënd. Ndoshta nuk do të mundesh t’i “kesh punët mirë” edhe me inspektorin e radhës.

3. “Njoftësisë” mund t’ia shohësh më shumë sherrin se hajrin, sepse në ATK mund të zbulohet ky lloj raporti, të trajtohen si anshmëri dhe si i tillë, të vëzhgohet me kujdes.

Si një profesioniste e certifikuar e kësaj fushe, me përvojë më shumë se dhjetë vjet, u këshilloj bizneseve që të zgjedhin kontabilist/e me integritet, profesionalizëm dhe përvojë; dikë që këshillon dhe informon me kohë për secilën fazë të biznesit dhe sqaron saktë e qartë pasojat e veprimeve apo mosveprimeve.

Ndërsa për kontabilistët që kanë nisur këtë rrugëtim profesional, kam një këshillë miqësore: nëse nuk e keni të qartë si t’ia nisni punës, pikënisja juaj e duhur është leximi i ligjit. Raporti i shëndoshë me ligjin është i vetmi raport që nuk mundet t’ua prishë askush. Ligji është ai me të cilin duhet t’i keni mirë punët në çdo hap të karrierës suaj. 

P.S. Nuk po them me pas raporte të kqija me ata të ATK-së 🙂

E juaja në këshilla fiskale dhe financiare,

Elvira 

Other Blogs

  • Qysh i ke punët me këta të ATK-së?

    Nisa të punoj si kontabiliste shumë e re në moshë, edhe pse vija nga një familje pa traditë në biznes. Duke qenë se familjarët e mi kishin profesione krejt të tjera, nuk e pata as edhe një person të vetëm ku të mbështetesha për t’u zhvilluar në profesion dhe për të ecur përpara në karrierë.…

    Learn more

  • Qysh i ke punët me këta të ATK-së?

    Nisa të punoj si kontabiliste shumë e re në moshë, edhe pse vija nga një familje pa traditë në biznes. Duke qenë se familjarët e mi kishin profesione krejt të tjera, nuk e pata as edhe një person të vetëm ku të mbështetesha për t’u zhvilluar në profesion dhe për të ecur përpara në karrierë.…

    Learn more

  • Një Shembull i Suksesit në Ndërtimin e Biznesit me Ushqime Tradicionale

    Në vitin 2016, në Prishtinë, u themelua Flizza. Kjo kompani u themelua nga një njeri i talentuar me një vizion të qartë. Ky është Skenderi, i cili vendosi të shpërblejë zakonet dhe ushqimet e trashëgimisë së tij me një frymë të re dhe inovacion. Skenderi kishte një ide të thjeshtë por të fuqishme: të rikthejë…

    Learn more

sqShqip